Prokuroria Speciale lëshon letër rreshtimi ndaj Milan Radoiçiqit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar letër rreshtimi ndaj Milan Radoiçiqit, lidhur me rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore, në vitin 2022.

Zëdhënësja Arbnor Luta, tha se përveç Radoiçiqit, PSRK-ja ka lëshuar urdhër arresti edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiqit. Urdhër arresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022. Përveç Radoiçiqit, PSRK-ja ka lëshuar urdhër arresti edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, thuhet në përgjigjen për Klankosova.tv.

Tutje në përgjigje ajo shtoi se janë duke u hetuar rreth 50 persona për veprat penale: “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Thirrje për rezistencë” dhe “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”.

“Ndërsa për veprimet e tjera publiku do të njoftohet në kohë, pasi duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione”.

Lexo edhe:  Më 1 prill shtrenjtohet me të madhe rryma në Kosovë, nisin ankesat