Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj çiftit për sulmin fizik ndaj dy gazetareve në Prishtinë

Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj çiftit të cilët kanë sulmuar fizikisht dy gazetare në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Prokuroria ndaj të pandehurës, M.B ka ngritur aktakuzë me propozim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në drejtim të veprave penale “Kanosja” dhe “Sulmi”, ndërkaq në këtë aktakuzë është i përfshirë edhe i pandehuri A.L., i cili ngarkohet me veprën penale “Sulmi”.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente, ka ngritur aktakuzë me propozim për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës M.B., në drejtim të veprave penale ‘Kanosja’ dhe ‘Sulmi’, sipas KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se në këtë aktakuzë është i përfshirë i pandehuri A.L., i cili ngarkohet me veprën penale ‘Sulmi’, sipas KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Ulajt për Dukagjinin.

Të mërkurën, dy gazetaret e mediumit lajmi.net, Lindita Berisha dhe Fjolla Hyseni, janë sulmuar fizikisht.

Raportohet se derisa po kryenin një reportazh për autolarjet në rrugën “C” në Prishtinë, ato u konfrontuan me një grua dhe një burrë, të cilët i sulmuan fizikisht.

Gazetaret, bashkë me kameramanin e tyre, ishin në pritje të një taksi, kur çifti i dyshuar iu afrua dhe filluan sulmin pa asnjë paralajmërim.

Gruaja dhe burri i saj përdorën dhunë fizike dhe kërcënuan që t’i marrin celularët e gazetarëve për t’i zhdukur provat e sulmit.

Edhe pasi gazetarët thirrën policinë për ndihmë, çifti i dyshuar vazhdoi kërcënimet dhe ndaloi gazetarët duke ua bllokuar rrugën.

Situata e rëndë u dokumentua nga kamera e kameramanit të lajmi.net.

Pas rastit, gazetarët u drejtuan drejt autoriteteve për të dhënë deklarata, ndërsa gazetarja Lindita Berisha, shtatzënë, u detyrua të kërkonte ndihmë mjekësore për shqetësimet e mundshme në lidhje me fëmijën.

Lexo edhe:  Shoferi hap dyert para se të ndalet autobusi, udhëtarja bie në rrugë, dërgohet në gjendje të rëndë në spital

Pas publikimit të pamjeve shqetësuese, që tregojnë sulmin fizik ndaj gazetareve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar duke shprehur shqetësimin e thellë për këtë akt të papranueshëm.

“Sulmi fizik ndaj gazetarëve Hyseni dhe Berisha është një shkelje e rëndë e lirive të medias dhe një kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve në Kosovë”, thuhej nga ana e tyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkoi që Policia dhe Prokuroria të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur.