Prokuroria konfirmon vërtetësinë e bisedës së Kusari-Lilës me Simiqin dhe Radoiçiqin

Prokuroria Speciale e ka konfirmuar vërtetësinë e bisedës së zhvilluar mes Mimoza Kusari-Lilës, Sllavko Simiqit dhe Millan Radoiçiqit, të cilën e publikoi Paparaci vitin e kaluar.

Në një aktvendim të nxjerrë më 26 shtator, Prokuroria e ka hedhur poshtë kallëzimin penal të kryetares së Alternativës ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi për publikimin e bisedës.

Prokurori i rastit Bekim Kodraliu ka vlerësuar se pas dëgjimit të bisedës së zhvilluar, ka ardhur në përfundim se nuk ekzistojnë elemente të kryerjes së veprës penale nga Paparaci.

Kusari-Lila, në kallëzimin penal të cilin e deponoi në Prokurorinë Speciale ndaj gazetarit Kajtazi në tetor të vitit të kaluar, e kallëzoi penalisht gazetarin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Ajo pretendonte se portali Paparaci.com, me drejtor Vehbi Kajtazin, publikoi një gjoja bisedë të fabrikuar “mes saj, Sllavko Simiqit dhe Millan Radoiçiqit”.

Por, Prokuroria Speciale e ka konfirmuar vërtetësinë e audio-incizimit.

“Pas analizimit dhe vlerësimit të hollësishëm të kallëzimit penal, shkresave dhe provave të lëndës, e në veçanti, pas dëgjimit me kujdes të bisedës së zhvilluar mes të dëmtuarës, Sllavko Simiq si dhe Millan Radoiçiq, Prokurori i Shtetit ka ardhur në përfundim se në rastin konkret veprimet e ndërmarra nga i dyshuari nuk konsumojnë elementet e veprës penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’”, thuhet në aktvendim.

Paparaci publikoi në tetor të vitit të kaluar audio-incizimin e një bisede telefonike mes Kusari-Lilës, Sllavko Simiçit dhe Millan Radoiçiqit. Audio-incizimi është autentik. Ai është realizuar në qershorin e vitit 2022.

Komunikimi i Kusari-Lilës me kryeterroristin e Banjkës ishte realizuar me ndërmjetësimin e Sllavko Simiqit, ish-homologut të Kusari-Lilës, deputetit të Listës Serbe.

Lexo edhe:  Prishtinë, hajnat vjedhin para dhe stoli ari në një shtëpi