Prokuroria kërkon paraburgimin e “Lizës”, njërin nga të dyshuarit për vrasjen e Triumf Rizës

Prokuroria Speciale ka kërkuar t’i caktohet masa e paraburgimit Ilir Abdullahut apo “Lizës”, njërin nga të dyshuarit për vrasjen e policit Triumf Riza.

Një gjë e tillë u bë e ditur me anë të një komunikate për media, duke thënë se “Liza” dhe grupi i Enver Sekiraqës e privuan nga jeta Rizën për motive hakmarrëse.

“Prishtinë, 17 korrik 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet I.A. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri I.A. në bashkëkryerje edhe me të pandehurit A.B, F. A, Rr.A, si grup i organizuar nga i pandehuri E.S, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta T.R, për shkak se i njëjti, më parë në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur E.S”, thuhet në njoftim.

“Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ nga neni 147 paragrafi 1 nën paragrafi 3 dhe 9 lidhur me nenin 23 të KPPK-së (Kodi i Përkohshëm Penal i Kosovës)”.

Gazeta Insajderi përgjatë ditës ka kontaktuar me babain e Triumf Rizës, Shefqet Rizën, i cili e ka vlerësuar si pozitiv arrestimin e “Lizës”.

“Nuk është vonesë e drejtësisë, sepse ai ka qenë në arrati. Policia e ka bërë punën e tyre, mirë që e ka arrestu. Është një prej kryesorëve të bandës së Enver Sekiraqës, ai është i nxitun, ai ka marrë pjesë… Nuk jemi kontaktuar nga policia, lajmin e kemi marrë nga mediat”, deklaroi ai për Insajderin.

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e Ilir Abdullahut, bashkëpunëtorit të Enver Sekiraqës, të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar në Batllavë të Podujevës.

Lexo edhe:  Vdes në QKUK burri që u aksidentua katër ditë më parë në Kamenicë

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur  me nofkën “Liza”. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

I dyshuari ka qenë në kërkim nga Interpoli nën akuzat për organizim të vrasjes së policit Riza.

Arben Berisha është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e policit.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.