Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim ndaj dhjetë të arrestuarve për bixhoz në Suharekë

Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar se dhjetë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë si të dyshuar për organizimin e bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale në Suharekë, pas një operacioni të zhvilluar Njësitë e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Suharekë.

Sinjali ka zbuluar identitetin e të arrestuarve të cilët janë: Lulzim Reshani, Pater Berisha, Brahim Qorri, Fazli Cikaqi, Bruno Kuzhnini, Përparim Shala, Naim Reshitaj, Sefer Bytyqi, Remzi Aliaj, Muhamet Shala.

Të dyshuarit u kapën në flagrancë nga Policia duke luajtur bixhoz në lokalin Real Game Zone”, i cili është pronë e Lulzim Reshanit, i cili dyshohet se ka qenë edhe organizatori i këtyre lojërave.

Prokuroria Themelore e Prizrenit sot ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve të lartpërmendur.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj dhjetë (10) personave të dyshuar:  L.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ”Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 par. 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe  P.B., B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 par.2 lidhur me nenin 31, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sinjali dje ka raportuar se në lidhje me këtë rast janë sekuestruar edhe dëshmi që mund të ndërlidhen me veprën penale.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbuluar shtrirjen dhe organizimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Lexo edhe:  Nuk është tubim i partive, por i vetëm një kandidati: Mblidhen mbi 220 persona në Mitrovicë për ta mbështetur 7-shin, Rrahman Rama

Ndërkohë, po shqyrtohet nëse ky grup ka pasur lidhje me aktivitete të ngjashme në qytete të tjera.