Prizrenasi iu shkon te shtëpia fqinjëve dhe i sulmon dy prej tyre, njërin e godet me mjet të mprehtë
Mosmarrëveshjet mes fqinjëve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje e kanosje serioze dhe përfundojnë si raste në Polici, ku kërkohet ndihmë. Telashe të tilla mes kosovarëve janë mjaft të shpeshta dhe motivet shumë herë dalin të jenë zënkat momentale, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Ibrahim Thaqi” në Prizren, ku një person dyshohet se ka sulmuar brutalisht dy fqinjët e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 31-vjeçari ka shkuar te shtëpia e dy viktimave dhe papritmas i ka sulmuar fizikisht, e madje njërin prej tyre e ka goditur edhe me mjet të mprehtë, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
Si pasojë e lëndimeve, të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin.
31-vjeçari i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.