Prishtinë: Shtetasja e huaj e denoncon për dhunë burrin e saj shqiptar, kërkon ndihmë në Polici
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në Prishtinë, ku një burrë nga Shqipëria dyshohet se ka ushtruar dhunë në familje.
Sinjali mëson se viktima, shtetase e huaj, ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka raportuar se burri me të cilin bashkëjeton ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar dhe i dyshuari është arrestuar e shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar hetimi për veprën penale “Dhuna në familje”.