Prishtinë: Gruaja sulmon me këmbë burrin në veturë, ai kërkon ndihmën e Policisë

Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë. Por ka raste kur edhe ato përshihen në rrahje dhe përfundojnë në Polici. Kështu ka ndodhur të shtunën pasdite, në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

Konflikti mes një çifri dyshohet se nisi pas një zënke, e cila pasoi me sulm, me ç’rast gruaja dyshohet se ka rrahur bashkëshortin e saj derisa ndodheshin në veturë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, gruaja e ka sulmuar me këmbë disa herë të dyshuarin, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Posa Policia ka marrë informacionin për këtë rast të dhunës, njësitë policore kanë intervenuar, duke i shoqëruar në stacion policor për intervistim dy të dyshuarit.

Siç mëson Sinjali, gruaja e ka mohuar kategorikisht ta ketë sulmuar burrin e saj, për të cilin ka deklaruar se nuk është mirë me shëndet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj saj për veprën penale  “Dhunë në familje”.

 

Lexo edhe:  Osmani ndan 400 pako onkologjike për të prekurit me kancer: Përkrahja e institucioneve s’do të mungojë