Prishtinasit i shkojnë dy persona në shtëpi dhe e rrahin, gruaja i del në mbrojtje por e pëson keq

Konfliktet mes të rinjve në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe përcillen me kanosje serioze e përleshje që eskalojnë edhe në rrahje brutale. Problemet për të cilat nuk arrijnë të merren vesh i shtyjnë ata t’i qërojnë vet hesapet, duke u futur kështu në sherr edhe në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të hënën, në rrugën “Mustafë Kruja” në Prishtinë, ku një person është sulmuar nga dy të tjerë, derisa ishte në shtëpinë e tij. Rasti është denoncuar nga bashkëshortja e viktimës, e cila po ashtu është përfshirë në rast.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se gruaja ka pësuar lëndime pasi vendosi të ndërhyjë në përleshjen, ku burri i saj po rrihej nga dy persona.

Sipas informacioneve të para, dy të dyshuarit e kanë sulmuar viktimën për motive akoma të panjohura, por nuk kanë arritur të shpëtojnë pasi ka intervenuar Policia.

Posa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes është sekuestruar thika që dyshohet të jetë përdorur, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe inicimin e rastit për dy vepra penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për ditën e sotme