Prishtinasi përdorues i narkotikëve kërcënon me jetë nënën e moshuar: Do të vras ty dhe gjithë familjen

Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike.

Shpeshherë këto telashe vijnë si pasojë e përdorimit të alkoolit e substancave narkotike, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Faruk Begolli’ në Prishtinë, ku një 37-vjeçar dyshohet se e ka kërcënuar me jetë nënën e tij të moshuar dhe familjarët tjerë.

Sinjali mëson se 68-vjeçarja është detyruar të denoncojë rastin në Polici, ku ka deklaruar se i biri është përdorues i narkotikëve dhe i njëjti e ka kërcënuar se do e vrasë atë dhe gjithë familjen.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë hasur në të dyshuarin, i cili ka shfaqur rezistencë gjatë arrestimit.

37-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndër të tjera pas testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Alby: Puna në filma për të rritur nisi për mbijetesë