Prishtinasi e shet veturën e 17 mijë eurove, por paratë s’i merr – denoncon blerësin për mashtrim
Jo rrallëherë ka pasur raste kur qytetarët kanë paguar shuma të majme parash për të blerë gjësende me vlerë, e për të cilat lidhin marrëveshje për procedurën e pagesës. Po jo gjithmonë ajo respektohet nga të dyja palët.
Lidhur me një rast të tillë, një person në Prishtinë dje ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 46-vjeçari në muajin tetor të vitit që lamë pas, i kishte shitur veturën një personi me të cilin ishin marrë vesh që shumën prej 17 mijë eurosh ta paguante në pjesë të ndara.
Sinjali mëson se blerësi i kishte paguar fillimisht 5 mijë euro, ndërsa pjesën e mbetur ishte dakorduar që ta kompensojë me punë të kryera në banesën e vëllait të shitësit. E krejt këtë duhej ta realizonte për brenda 35 ditësh.
Pasi marrëveshja u shkel dhe kaluan muaj pa u kryer obligimi për të cilin detyrohej 39-vjeçari, shitësi i veturës ka denoncuar rastin në Polici ku ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervitim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.