Prishtina bëhet me tunel, veturat kalojnë nëntokë e përmbi këmbësorët

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar për projektet e ardhshme të kryeqytetit, mes të cilave ka veçuar ndërtimin e një tuneli në rrugën “Agim Ramadani”.Tuneli, i cili do ta ketë formën e shkronjës Y, do të vazhdojë nga kjo rrugë te shkolla e mesme “Sami Frashëri” dhe te rrethi i vogël te komuna e vjetër e Prishtinës.

Ky projekt, siç tha Zogaj, përveç se do ta ndihmojë qarkullimin e komunikacionit, përmbi do të shërbejë si zonë për këmbësorët duke ia kthyer edhe “kalldrëmin e vjetër qytetit” ku edhe janë xhamitë kryesore të kryeqytetit.“Një projekt i një rëndësie të veçantë dhe një fokus kyç i kryetarit Rama është edhe tuneli në rrugën ‘Agim Ramadani’, i cili është pas teatrit dhe vazhdon deri te shkolla e mesme ‘Sami Frashëri’ dhe deri te rrethi i vogël këtu te komuna e Prishtinës. Është një tunel në formë të shkronjës Y”, ka thënë ai për EO.

Tutje, Zogaj ka thënë se implementimi pritet që të fillojë në pranverën e vitit 2024, teksa e shpjegoi edhe idenë e tunelit.“Ideja është që veturat të hyjnë nëntokë në tunel kurse mbi tokë e gjitha të jetë për këmbësorë dhe t’ia kthejmë pamjen e vjetër qytetit të vjetër të Prishtinës, ku janë edhe xhamitë kryesore, nga Xhamia e Çarshisë deri te Xhamia e Madhe. Duam që t’ia kthejmë kalldrëmin e vjetër qytetit dhe të kthehet në një zonë për këmbësorë”.
“Aktualisht jemi duke e projektuar, pas projektimit shpallet tenderi, zgjedhim kompaninë implementuese dhe në pranverën e vitit 2024 fillojmë me implementim”.

Nënkryetari i Prishtinës ka thënë se janë rreth 90 milionë euro për investime kapitale, disa edhe nga vitet e kaluara, të cilat do të përdoren për qindra projekte.

Lexo edhe:  Berisha për aksionet në Veri: Kurtit e Vuçiqit i duhen këto aksione për ti mbuluar dështimet e tyre

Ndër projektet kryesore, ai e ka cilësuar ndërtimin e rrugës A, vazhdimin e rrugës B, bulevardin “Geroge Bush” e sallën multi-funksionale të sporteve në Bërnicën e Poshtme.“Nga viti 2021 dhe viti 2022, ne bartim diku rreth 50 milionë euro për investime kapitale. I kemi edhe 40 milionë euro investime kapitale të vitit 2023. Pra, e kemi një buxhet signifikant për investime kapitale”.
“Po flasim për qindra projekte, e ndër kryesoret është ndërtimi i rrugës A, që po e fillojmë shumë shpejt tash në pranverë. Është edhe ndërtimi i sallës multi-funksionale të sporteve në Bërnicën e Poshtme. Kemi edhe ndërtimin e disa rrugëve në Prishtinë, vazhdimi i rrugës B që lidhet pastaj me rrugën A. Ka edhe projekte që lidhen me gjelbërimin dhe hapësirat publike. Një prej projekteve është edhe vazhdimi i sheshit deri te katedralja. Jemi duke e projektuar bulevardin “George Bush”, pas projektimit, fillojmë edhe me implementim të projektit”.I pyetur nga EO për projektin e koogjenerimit dhe vendosjen e panleve solare, Zogaj ka thënë se janë në fazën e studimeve të para e se këto projekte do të ndihmojnë në zgjerimin e ngrohjes qendrore.
“Jemi në fazën e studimeve të para, sepse po zgjedhet një kompani konsulente. Është projekt që arrin shumën prej gati 100 milionë eurosh. Kemi pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm me donatorët dhe organizatat ndërkombëtare, siç janë EBRD, fondet e BE-së dhe KFË. Edhe ky projekt besoj që fillon në 2024 dhe zgjat 2-3 vite. I ndihmon Termokosit dhe qytetarëve që ta zgjerojmë ngrohjen qendrore që po kërkohet shumë”.Ndërsa, ai ka folur edhe për bashkëqeverisjen me PDK-në dhe raportin me opozitën.
“Me PDK-në jemi në bashkëqeverisje dhe kemi një funksionim shumë të mirë të koalicionit. Në anën tjetër e kemi edhe një opozitë, e cila është opozitë e madhe, Lëvizja Vetëvendosje me një të tretën e kuvendit komunal, por edhe AAK-në dhe AKR-në. Kemi bashkëpunim të mirë edhe me ta, pa përplasje, por me debate konstruktive”.

Lexo edhe:  Hoxhë Ekrem Avdiu i quan “injorantë” të konvertuarit në katolikë: Ata njerëz veç fe nuk kanë