Presidentja Osmani viziton ushtrimin “Defender Europe ’25”: Kosova shkruan kapitull të ri të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka vizituar ushtrimin “Defender Europe ’25”, më të madhin e këtij viti të Ushtrisë së SHBA në Evropë, ku Kosova është jo vetëm pjesëmarrëse, por edhe nikoqire.
Ajo theksoi se përmes këtij ushtrimi, Kosova po shkruan një kapitull të ri të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar, duke vepruar krah për krah me forcat e SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s.
Presidentja Osmani nënvizoi se rreth 1000 pjesëtarë të FSK-së po marrin pjesë në ushtrim, duke dëshmuar profesionalizëm të barabartë me aleatët dhe përkushtim ndaj paqes e sigurisë. Sipas saj, kjo tregon gatishmërinë e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s.