Presidenca thotë se publikimi i fotografisë së Osmanit me gratë e Inteligjencës u bë me vlerësimin e AKI-së
Fotografia e publikuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 8 marsit – Ditës së Gruas, me gratë e punësuara në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ngiriti debat dhe komente të shumta.
Nga Presidenca kanë sqaruar se fotoja është realizuar nga AKI-ja dhe pas vlerësimit të tyre se nuk përbën ekspozim të identitetit, është publikuar.
“Publikimi i fotos së Presidentes me gratë e inteligjencës ka pasur për qëllim të vlerësojë punën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të sigurisë kombëtare. Në këtë foto, identiteti i tyre nuk ekspozohet dhe nuk cenohet asnjë standard i sigurisë. Për më tepër, kjo foto është bërë dhe dërguar nga AKI-ja dhe pas vlerësimit të tyre se nuk përbën ekspozim të identitetit”, tha Bekim Kupina nga zyra e Osmanit.
Kupina po ashtu tha se praktika të tilla ka pasur edhe më herët në Kosovë dhe në shtete të tjera.
“Presidenca vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së standardeve më të larta të konfidencialitetit dhe profesionalizmit. Është për të ardhur keq që pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në vend që të vlerësohet roli dhe kontributi i grave në një fushë sfiduese si inteligjenca, po bëhet fushatë me komente fyese dhe të padrejta ndaj tyre. Gratë që shërbejnë me përkushtim në sigurinë kombëtare meritojnë respekt dhe mbështetje, jo paragjykime”.