Presidenca reagim tjetër për incidentin: Skandaloze deklaratat e MPB-së maqedonase, e pranuan se urdhri u dha nga ta

Presidenca e Kosovës i ka reaguar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut pas deklarimeve në lidhje me incidentin e presidentes Vjosa Osmani, derisa po udhëtonte nga Aeroporti i Shkupit të enjten.

Presidenca ka deklaruar se po zhvillohet propagandë kundër Kosovës në disa media të Maqedonisë së Veriut, derisa thotë se MPB e Maqedonisë së Veriut, në vend të kërkim faljes, ka arsyetuar kërkesën e sigurimit të aeroportit.

“Në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale.” – thuhet në regaim.

Veç kësaj, Presidenca deklaron se Aeroporti i Shkupit, e edhe MPB, pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB-ja për një kontroll të tillë.

“Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike” – thuhet tutje.

Më tej në komunikatën e presidencës shpjegohen praktiket ndërkombëtare dhe Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike në lidhje me situate të tilla:

“…Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Presidentes në përputhje me praktikat diplomatike”.

Po ashtu, thuhet se nuk është e vërtetë që presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën, dhe se nuk ka pasur bagazh.

Lexo edhe:  U tha se ka baktere të rrezikshme tek “Wudy”, shprazën raftët në markete!

“Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj”.

Tutje presidenca e quan skandaloz pretendimin se ka pasur diçka të dyshimtë në çantën e Osmanit, derisa tutje shton:

“Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpier tek kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”.

“7. Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident.

8. Në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës.

9. Nga SHBA-të e deri te shtetet e tjera të rajonit, në çdo udhëtim të Presidentes respektohen në plotëni rregullat e trajtimit të kreut të shtetit dhe ASNJËHERË nuk kërkohet të preket, e lëre më të dorëzohet në skaner as telefoni i Presidentes, as çanta e dorës e as valixhja e saj (carry on)” – thuhet mes tjerash.

Lexo edhe:  35-vjeçarit nga Kosova i bëhet atentat në Hannover të Gjermanisë