Prej sot euro është mjeti i vetëm i pagesës në Kosovë, çfarë thonë qytetarët në Graçanicë

Tregtarët dhe restorantet në komunën e Graçanicës kanë pezulluar transaksionet e pagesave në dinarë. Individët me të cilët kanë folur gazetarët e Radio Kim kanë deklaruar se ky nuk është problem sepse shumica e vendasve i marrin rrogat dhe pensionet në Serbi, ku njëkohësisht i konvertojnë ato në euro.

Pas skadimit të afatit tre mujor të caktuar nga qeveria e Kosovës për periudhën e tranzicionit, euro nga sot është mjeti i vetëm zyrtar i pagesës me para të gatshme në Kosovë, prandaj ata që nuk e respektojnë këtë vendim mund të presin gjoba.

“Që nga sot e kemi ndërprerë pranimin e dinarëve. Ne jemi të njohur me situatën që kjo është e ndaluar në Kosovë. Nuk mendoj se është problem, sepse qytetarët gjithqysh i marrin pagat dhe pensionet në Serbi, i shndërrojnë në euro dhe i shpenzojnë këtu. Për ne gjithashtu nuk është problem, edhe ne paguajmë me euro. Kështu është situata”, ka thënë për RTV Kim, Marko Rajkoviq, një punëtor i hotelerisë, transmeton Paparaci.

Një punëtore e arsimit nga Graçanica, Lilana Gjoriq, ka thënë se qytetarët të cilët janë të punësuar dhe marrin paga nga buxheti i Serbisë do t’ia dalin diqysh dhe se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës paraqet problem më të madh për të moshuarit dhe të sëmurit.

“E di, kam dëgjuar dje dhe asgjë nuk më befason, as nuk prisja ndonjë rezultat tjetër. Ne do t’ia dalim siç dimë. Gjërat më të këqija nuk na kanë frikësuar, e as kjo nuk do të na frikësojë. Qytetarët e Kosovës që janë të punësuar do të gjinden, problemi më i madh është për pensionistët. Nuk e di si do t’ia dalin sepse janë të moshuar dhe nuk mund të udhëtojnë. Ne do të mundohemi t’i ndihmojmë me aq sa kemi mundësi”, ka thënë ajo.

Lexo edhe:  Lindrit Misini dhe Vullnet Sefaja nisin ndërtimin e shtëpisë së një mitrovicasi në kushte të vështira

Ndonëse janë të pakënaqur me vendimin e BQK-së, pensionistët me të cilët ka folur ekipi i radios Kim kanë thënë se për paratë që fitojnë shkojnë në Serbi dhe se pas konvertimit të saj funksionojnë normalisht në Kosovë.

“E di se anulimi i dinarit është problem i madh. Do të shkoj në Serbi dhe do të marr pensionin atje. Çfarë të bëjmë, nuk lejojnë, me siguri do të ndëshkojnë. Ligji është ligj, duhet respektuar”, ka thënë Ljubisha nga Preoci.

Kujtojmë se më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euro është valuta e vetme zyrtare në Kosovë. Edhe pse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë takuar gjashtë herë deri më tani për problemin e përdorimit të dinarit në Kosovë, ende nuk është gjetur një zgjidhje. Është bërë e ditur se bisedimet për këtë temë do të vazhdojnë së shpejti.