Policia zbarkon në shtëpinë e gjilanasit të dyshuar për kanosje, babait të tij i gjejnë armë ilegale

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.

Nën dyshimet për posedim të armëve pa leje kompetente, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer bastisje dje në një shtëpi private të një personi që dyshohet për veprën penale ‘Kanosje’ në fshatin Livoq i Epërm në Gjilan.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, babai i të dyshuarit ka deklaruar se posedon  një armë e tipit kallashnikov bashkë me karikator dhe fishekë.

63-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Këto janë vendet ku do të ndalet rryma edhe të dielën