Policia serbe do të patrullojnë në Maqedoninë e Veriut, ASH: Urime Bekim Qokut, presim prononcim nga Kurti

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq pas takimit me homologun e tij maqedonas, Pançe Toshkovski, tha se ka marrëveshje që nga muaji gusht, policët e Serbisë të patrullojnë në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas.

Pas kësaj ka reaguar Aleanca për Shqiptarë (ASH), duke “uruar” deputetin e koalicionit “VLEN”, Bekim Qoku, për “sjelljen e policisë serbe në Ohër”, për shkak se Qoku është nga ky qytet.

“Pas një fshehje dhe heshtje të çuditshme ndaj të gjitha vendimeve të Qeverisë jo legjitime, deputeti i Vetëvendosjes-VLEN, Bekim Qoku, solli diçka të ‘madhe’ për qytetin e tij dhe shqiptarët në përgjithësi. Falë Qeverisë dhe ndryshimit që solli ky deputet dhe koalicioni ku ai bën pjesë, pas 35 viteve policia serbe do të patrullojë lirshëm në Ohër, me kompetenca që të reagojë ndaj qytetarëve të saj që do vizitojnë Ohrin për pushime”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Tutje thuhet se kjo mund të nënkuptojë se në Ohër mund të arrestohet çdo shqiptar të Kosovës të cilin Serbia e kërkon për luftën e fundit.

“Duke patur parasysh deklaratën e ministrit Ivica Daçiç (i cili paralajmëroi edhe hyrjen e policisë), se Serbia e njeh Kosovën si territor të vetin, kjo nënkupton se në Ohër do të kenë të drejtë të arrestojnë çdo shqiptar të Kosovës të cilin Serbia e kërkon për luftën e vitit 1998-99”, ngritën shqetësimin ata.

Duke qenë se Qoku është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nga ASH-ja kanë kërkuar edhe një prononcim nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili i kishte bërë fushatë për “VLEN”-in.

“Prandaj kërkuan publikisht një prononcim për këtë çështje nga kryeministri Kurti, njëherit kryetar i Bekim Qokut dhe “mbështetës i koalicionit jolegjitim që aktualisht është pjesë e Qeverisë e cila na e riktheu Serbinë në RMV. A pajtohet dhe a mbështet Kurti këtë vendim, a do ta mbajë deputetin e tij ende në këtë Qeveri dhe a e sheh këtë rast në përputhje me politikat e Qeverisë dhe partisë që i drejton?”, thuhet ndër të tjera.

Lexo edhe:  Dalin detaje: Gruaja dyshohet që u vra në kohën kur ishte gati për të lindur fëmijë