Policia njofton për bllokim të disa rrugëve sot dhe në fundjavë
Policia e Kosovës ka paralajmëruar për bllokim të përkohshëm të disa rrugëve gjatë tri ditëve të ardhshme, shkaku i vizitës së Presidentit të Maltës, George Vella dhe Forumit të grave për paqe dhe siguri.
Njoftimet e Policisë:
-Sot, me datën 21 tetor 2022, në Republikën e Kosovës do të vijë për vizitë disa ditore Presidenti i Republikës së Maltës Sh. T. z. George Vella, së bashku me një delegacion shoqërues.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore, kryesisht në kryeqytet ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete.
Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.
-Nga data 21 deri 23 tetor 2022, me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani-Sadriu, organizohet edicioni i parë i Forumit të grave për paqe dhe siguri në Republikën e Kosovës.
Për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij evenimenti janë parapare planifikime operacionale nga Policia e Kosovës, duke filluar nga sot datë 21 tetor 2022 ku pritet të vijnë personalitete nga vende të ndryshme si dhe me datë 22 tetor ku mbahet evenimenti kryesor, e deri në përfundim me datë 23 tetor 2022.
Përgjatë këtyre dy-tri ditëve, mund të ketë qarkullim më të intensifikuar të pjesëmarrësve dhe automjeteve në lokacione të caktuara dhe njoftojmë opinionin se mund të ketë bllokim të përkohshëm të disa rrugëve, prandaj për të mundësuar qarkullim dhe riorientim në trafik do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante.
Policia e Kosovës me këtë rast kërkon mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.