Policia në ndjekje të 28-vjeçarit në Pejë, aksidentohet duke ikur: ‘Kur ta hekni uniformën shihemi’
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë të Trafikut ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës, sidomos për shkak të shkeljes së rregullave në komunikacion. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Pejë, por që i parapriu një aksident, ku i përfshirë ishte një 28-vjeçar.
Burimet e Sinjalit kanë bërë detaje se si erdhi deri te kërcënimi ndaj policëve nga i dyshuari që shpërfilli urdhrat.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari fillimisht kishte qarkulluar nëpër rrugën “Mustafë Nimoni” më shpejtësi shumë të madhe, çka e detyroi Policinë t’i vihet në ndjekje për ta ndaluar, por ishte e kotë.
Urdhri i Policisë përveç që nuk u përfill, i riu dyshohet se vazhdoi lëvizjen me veturën e tij, me shpejtësi edhe më të madhe, që i kushtoi me aksident. Të njëjtat burime thonë se gjatë kësaj kohe, i dyshuari është aksidentuar duke përfunduar jashtë rrugës.
Por nuk mbaroi me kaq. Pasi nuk arriti të ikë, ai po dyshohet se në vendin e ngjarjes, ku edhe ndodhi aksidenti ka kërcënuar seriozisht zyrtarët policorë, me fjalët se “Ka me ju largu prej punës se i njoh unë shefat e juaj, kur ta hekni uniformën shihemi na”, thotë tutje burimi.
Pasa gjithë rastit dhe fjalëve kërcënuese, policët u detyruan që të marrin masa parandaluese duke e arrestuar e shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “kanosje”.