Policia në Leposaviq reagon pas kërkesës së stafit mjekësor – konfirmohet një rast vdekje e dyshimtë
Më datë 30.05.2025, rreth orës 13:48, Policia në Leposaviq është njoftuar nga stafi mjekësor, i cili kishte shkuar në fshatin Dobrava te Leposaviqit për të vizituar një paciente që ndodhej nën trajtim mjekësor.
Sipas informatave të para, me të arritur në vendin e ngjarjes, personeli mjekësor ka hasur në derën e mbyllur të shtëpisë dhe nuk ka arritur të vendosë kontakt me personin në fjalë, për çka ka kërkuar asistencën e Policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore. Meqë dera nuk është hapur, Policia është detyruar ta hapë atë me forcë. Brenda në një nga dhomat e shtëpisë, në shtrat, është gjetur e shtrirë një femër pa shenja jete. Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës – femër, O.M., e lindur në vitin 1949.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.