Policia ndërhyn në Gizzi Grill: Dikush hedh sprej dhe ikë, alarmohen klientët – një vajzë dërgohet në spital

Lokali Gizzi Grill në Veternik të Prishtinës jo rrallëherë ka qenë vendi i përleshjeve, kanosjeve e incidenteve të tjera që kanë shkaktuar telashe. Sinjali ka raportuar disa herë për të tilla raste, ndërkohë që burimet bëjnë me dije se edhe mbrëmë Policia ka intervenuar në këtë lokal, ku u shkaktua rrezik nga një person akoma i paidentifikuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një person ka hedhur një sprej në orët e mëngjesit dhe për pasojë ka alarmuar klientët, në numër jo të vogël që ndodheshin në lokal, të cilët me shpejtësi nisën të largoheshin.

Situata u tensionua deri në atë pikë sa një vajze 20-vjeçare, që gjendej në këtë lokal iu vështirësua frymëmarrja dhe u desh ndihma mjekësore, me ç’rast autoambulanca doli në vendin e ngjarjes. Prej aty viktima u dërgua për emergjencë, ndërkohë që Policia kreu ekzaminimet e nevojshme.

Para zyrtarëve policorë, siç mëson Gazeta Sinjali ka dhënë deklaratë menaxheri i lokalit, i cili ka rrëfyer në detaje se si ndodhi ngjarja dhe ka ofruar pamjet nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave mund të zbulohet i dyshuari apo të dyshuarit e përfshirë në rast.

Në lidhje me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit që ka urdhëruar inicimin e rasteve në drejtim të dy veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ”dhe “Armëmbajtje pa leje” dhe nisjen e hetimeve për kapjen e të dyshuarve.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe lokalin në fjalë, por akoma nuk ka marrë një përgjigje në lidhje me rastin

Lexo edhe:  Naim Abazi ‘denoncohet’ se ka filluar mbindërtimin në mbindërtim, reagon këngëtari