Policia kap në flagrancë dy personat që kishin hyrë të vjedhin në një shitore në Pejë
Rastet e vjedhjeve nëpër shtëpitë private e biznese në Kosovë janë shndërruar në dukuri shqetësuese. Zakonisht personat e dyshuar arrijnë të ikin nga vendi i ngjarjes, për t’u kapur më vonë nga Policia, por ka edhe herë kur ata kapen në flagrancë.
Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të ditës të sotme në qytetin e Pejës, ku dy persona kishin bërë plan që të kryejnë vjedhje në shitoren ‘Express’ në rrugën ‘Gjergj Fishta’.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtarët policorë kanë arritur që t’i kapin të dyshuarit në vendin e ngjarjes dhe të njëjtit i kanë arrestuar menjëherë.
Dy të rinjtë të moshave 22 dhe 24 kishin pasur synim të vjedhin një sasi të madhe të cigareve, teksa ishin siguruar që të maskohen.
Te njëri prej tyre është gjetur një mjet i mprehtë dhe një kaçavidë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.