Policia jep mbi 25 mijë euro për këdo që jep informacion për vrasjen e trefishtë në Fushë Krujë

Tre persona mbetën të vrarë me armë zjarri nga një atentat në mbikalimin e Fushë Krujës.

Diklen Vata 30-vjeç është një nga viktimat e identifikuar pasi dy të tjerët janë shkrumbuar tërësisht për shkak se makina e tyre shpërtheu në flakë nga të shtënat me armë.

Policia ka njoftuar se do të japë milionë lekë apo mbi 25 mijë euro për këdo që jep informacion për vrasjen.

“Në kuadër të veprimeve që strukturat hetimore të Policisë së Shtetit po kryejnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Fushë Krujë ku mbetën të vrarë me armë zjarri tre shtetas, si dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano gjatë takimit me krerët e DVP Durrës e Tiranë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale, për zbardhjen sa më parë të ngjarjes, grumbullimin e informacionit nga qytetarët apo dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjen apo kanë dijeni për autorët, ju informojmë se: Policia e Shtetit ka vënë menjëherë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, 3 milionë lekë të rinj”, thuhet në njoftim.

Cilido që ka informacion të vlefshëm ta dërgojë në numrin e telefonit 069 41 10 853, i cili ka të disponueshëm edhe aplikacionin WhatsApp, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe të sigurtë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me strukturat policore në interes të rritjes së parametrave të rendit e sigurisë dhe të parandalimit të ngjarjeve kriminale që cënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.

Lexo edhe:  Një person heq foton e Hashim Thaçit dhe Ismail Qemalit nga muri i Kuvendit