Policia e Kosovës sqaron prezencën e saj në sheshin ‘Xhorxh Bush’ në kryeqytet

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka asistuar sot Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës në aktivitete të planifikuara në sheshin “George Bush” në Prishtinë. Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës, aktivitetet e këtij asisti kanë qenë të ndara nga punimet që po kryhen në këtë zonë dhe nuk kanë lidhje me to, raporton Gazeta Sinjali.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka theksuar se veprimet e zyrtarëve policorë janë në përputhje me parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar gjithmonë ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera.

Reagimi i plotë:

Reagim nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë

Drejtoria Rajonale e Policise së Kosovës -Prishtnë, informon opinionin publik se prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin “George Bush” në Prishtinë, sot ishte në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes se punimeve në atë zonë.

Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera.

Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.​

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj.

Lexo edhe:  Shqipëria dridhet nga tërmeti