Policia e Kosovës “nxjerr dhëmbët”, vetëm dje konfiskoi 33 leje

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme në tërë vendin ka vendosur 508 pika kontrolli të automjeteve, ku nga zyrtarë policorë janë kryer aktivitete me qëllim që të parandalohen dhe të ndëshkohen ata që nuk kanë përfillur rregullat në trafik.

Sipas Policisë, për shkelje më të rënda policia ka konfiskuar 33 patentë shofer drejtuesve të automjeteve.

Policia e Kosovës thotë se edhe ditën e fundit të vitit 2023 (31 dhjetor), e ka kaluar duke realizuar detyrat e saja ligjore e operacionale.

“Policia ditë më parë, me qëllim të shtimit të masave për të ofruar më shumë siguri në trafik, ka hartuar dhe ka vazhduar së zbatuari urdhrin operativ që ka të bëjë pikërisht me shtimin e aktiviteteve policore për të ofruar siguri për pjesëmarrësit në trafik. Me patrullime të shtuara parandaluese, por edhe me vendosjen e shumë Pikave të Kontrollit për Automjete (PKV), policia në tërë vendin edhe dje me 31 dhjetor, ka vazhduar së zbatuari detyrat që dalin nga urdhri operativ për shtim të masave të sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Rënie e lehtë e temperaturave javën e ardhshme, pritet të ketë edhe reshje shiu