Policia e Kosovës ndaloi asfaltimin e rrugëve në “Luginën e Diellit”, puna po kryhej nga një kompani shqiptare
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës pasditen e sotme kanë ndaluar asfaltimin e rrugëve në vendbanimin “Lugina e Diellit”
Lajmin e ka konfirmuar për KoSSev zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut.
Ai ka thënë se me arsyetimin e tyre kanë konstatuar se kontraktori nuk ka leje pune dhe se për këtë është ndërprerë puna. Ai nuk ka dashur të japë detaje të tjera përveç se rasti është duke u hetuar lidhur me ligjshmërinë e punimeve të ndërtimit të rrugëve në këtë vendbanim.
Është një vendbanim që prej vitesh po merr vëmendje në opinionin kosovar. Vetëvendosje, duke qenë ende në opozitë, praktikisht e shpalli si një përpjekje “për të kolonizuar Kosovën nga Serbia, ndërsa ish-autoritetet e Kosovës theksuan se ishte e paligjshme”.
Autoritetet kosovare kërkuan që komuna e Zveçanit të dorëzojë dokumentacionin për legalizimin e këtij projekti. Pasi komuna nuk iu përgjigj kërkesave të institucioneve dhe nuk përgatiti dokumentacionin, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Kosovës e paditi këtë komunë. Çështja është pezulluar ndërkohë, pasi është parashkruar.
“Lugina e Diellit” është projekt i qeverisë së Republikës së Serbisë, ndërtimin e të cilit e kishte paralajmëruar në mesin e vitit 2016 drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Marko Gjuriq. Ky projekt, siç ishte paralajmëruar në atë kohë, ishte paraparë të strehonte 1500 familje të kthyera dhe ishte paraparë të përfundonte brenda një viti e gjysmë.