Policia e dorëzon në Agjencinë e Arkivave materialin që e gjeti në komunat ilegale në veri

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (AShAK) ka bërë të ditur se ka përfunduar transferimi i materialit arkivor që mbahej ilegalisht nga strukturat paralele ilegale në komunat në veri të vendit.

Sipas njoftimit, materiali arkivor, i cili iu takon viteve 1944 deri në vitin 2000, është dorëzuar nga Policia e Kosovës dhe është deponuar në vend ruajtjet e AShAK-së.

AShAk po ashtu ka bërë të ditur se pranim-dorëzimi i këtij materiali është mbikëqyrur nga inspektorët dhe udhëheqësit e AShAK.

“Pranimi i sasisë së materialit arkivor nga komunat veriore në ASHAK, është një e arritur e jashtëzakonshme e gjithë rrjetit zyrtar arkivor në Republikën e Kosovës për shkak se tashmë kemi një progres të ndjeshëm në bashkimin e fondeve arkivore si detyrim i ruajtjes dhe administrimit efikas të kujtesës sonë kolektive, për çka ne e falënderojmë Policinë e Kosovës për mbështetje dhe asistim efikas gjatë procesit të transferimit të kësaj sasie të materialit në arkivin kompetent”, shkruhet mes tjerash në njoftim.

Lexo edhe:  Zbulohet kush është i dyshuari që bashkëjetoi me 15-vjeçaren në Gjilan dhe kreu marrëdhënie seksuale me të