Policia: Dyshohet se kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit erdhi nga Serbia

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kërcënimi me mjet shpërthyes i ndodhur sot paradite në një objekt shtetëror në Prishtinë është marrë me seriozitet të lartë, dhe hetimet janë duke vazhduar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera të sigurisë.

Sipas informacioneve zyrtare, bazuar në të dhënat fillestare të hetimeve, dyshohet se kërcënimi ka ardhur përmes një numri telefoni që besohet të jetë nga Serbia, shkruan “Jepi zë”.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kompetente do të vazhdojë hetimet e mëtejme, duke marrë të gjitha masat hetimore, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtarë të sigurisë, për të lokalizuar mjetet dhe rrjetet e komunikimit të përdorura në këtë kërcënim”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione shtesë lidhur me përmbajtjen e kërcënimit apo nëse është gjetur ndonjë mjet i dyshuar.

Lexo edhe:  Krasniqi: Kurti mashtrues, i bën 50 vjet por askush ‘të lumtë dora’ s’i ka thënë