Policia arreston një person dhe kryen bastisje në shtëpitë e familjeve të përfshira në vrasjen e rëndë në Skenderaj – Krejt çka dihet deri më tani

Dita e sotme ishte e kobshme për familjen Musliu nga fshati Baks i komunës së Skenderajt. Betim Musliu 47-vjeçar, mbeti i vrarë si pasojë e plumbave që dyshohet se u shkrepën nga fqinji i tij, Shukri Rexhepi. Në këtë rast plagë mori edhe vetë i dyshuari bashkë me një person tjetër.

02 Press mëson se tre personat që morën plagë si pasojë e të shtënave me armë zjarri, u dërguan me vetura civile me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore. Dy nga ta u dërguan në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, ku mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e Besimit, ndërsa i plagosuri tjetër fillimisht mori ndihmën e parë në QKMF-në e Drenasit.

Por për shkak të plagëve të rënda, dy të plagosurit janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm. Sipas mjekes kujdestare, Dafina Basholli, Shukri Rexhepi dhe i plagosuri tjetër janë në gjendje stabile, ndonëse njëri ka plagë në këmbë, e tjetri në pjesën abdominale. Basholli tha se ata shumë shpejt do të lirohen për në shtëpi.

Ndërkohë në vendin ku ndodhi krimi, kanë dalë njësitet policore bashkë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar që të kryhen bastisje në shtëpitë e personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri – një kallashnikov që dyshohet se u përdor në rast dhe një pushkë gjuetie.

Po ashtu po bëhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme që çojnë në zbardhjen e rastit, duke përfshirë këtu sigurimin e provave dhe dëshmive të dëshmitarëve të rastit.

Policia e Kosovës përmes një komunikate të lëshuar për media ka bërë të ditur se është arrestuar edhe një person tjetër dhe do të intervistohet në cilësinë e personit të dyshuar për përfshirjen në këtë rast.

Lexo edhe:  Flet neuropsikiatri që trajtoi nënën që u mbyt duke u hedhur në lumin Buna me 3 fëmijët

Me vendim të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje e rëndë’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.