Policia aksion në Ferizaj, kapen 13 persona duke luajtur bixhoz në një kafene

Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm.

Kjo po dëshmohet sidomos javëve të fundit me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra të dyshuarve gjithandej vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë me dije se mbrëmë rreth orës 20:00 ka kryer bastisje në një kafene në rrugën ‘Vëllezërit  Gërvalla’ në Ferizaj, ku ka kapur në flagrancë 13 persona duke luajtur bixhoz.

“Mbrëmë, rreth orës 20:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në rrugën,,Vëllezrit Gërvalla “ në një kafeteri në Ferizaj po zhvillohej aktivitet i paligjshëm i bixhozit. Në lidhje me këtë ekipe të policisë së rendit dhe policët hetues i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe janë nisur në drejtim të lokacionit, ku aty kanë hasur trembëdhjetë (13) persona duke luajtur bixhoz, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur gjashtë (6) pajisje tabletë, shtatë (7) paketime të letrave të bixhozit dhe para dymijë e gjashtëqind e tridhjetë e nëntë (2639) euro, të cilat janë sekuestruar”, thuhet në komunikatë.

Personat e arrestuar janë shoqëruar në stacion policor, ku ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’ dhe tre prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje, ndërsa 10 nga ta janë liruar në procedurë të rregullt.

“Të gjithë personat janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj të dyshuarit : F.K (M/K) i moshës 55 vjeçar, A.SH (M/K) i moshës 23 vjeçar dhe R.F(M/K) i moshës 35 vjeçar janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dhjetë (10) personat tjerë janë liruar në procedurë të rregullt për procedura tjera hetimore. Rasti është cilësuar “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm””, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Pas Sharr Cem edhe Berdica Cement rrit çmimin e çimentos! A po e keqpërdorimin këto dy kompani monopolin me çimento?