Polici “kapadai” i përfshirë në incidentin me Lushtakët, IPK-ja e Policia s’flasin për të bëmat e tij
Ndonëse kishte pasur telashe shpesh me qytetarët e Skenderajt, polici Enver Berishaj i njohur si Enver Smakiqi, vazhdoi i patrazuar punën si polic në Komunën e Skenderajt deri të shtunën.
Incidenti që ndodhi të shtunën pas mesnatës, mes policit Enver Berishaj dhe djalit të ish-nënkryetarit të kësaj komune, Nuredin Lushtakut, që dikur ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, alarmoi tërë vendin.
Polici Enver Berishaj dhe kolegu i tij Mërgim Geci mbetën të lënduar e plagosur pas një incidenti, ku u përfshi edhe vetë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, si dhe disa familjarë të tij..
Edhe pse Berishaj e ka mohuar se ka pasur ndonjëherë probleme me familjen e Nuredin Lushtakut, Demokracia.com ka mësuar se ai ishte treguar mjaft agresiv në të kaluarën edhe ndaj njërit prej vëllezërve të ish-deputetit Lushtaku, duke e nxjerr dhunshëm atë nga vetura dhe sulmuar fizikisht.
Po ashtu, ditë më parë mediat publikuan edhe rrahjen brutale të një invalidi të luftës së UÇK-së në sheshin e Skenderajt nga i njëjti polic.
Demokracia.com ka pyetur edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës për rastet problematike, ku ishte përfshirë në të kaluarën ky zyrtar policor. Por, institucioni që është i thirrur për t’i mbikëqyrur policët që kryejnë vepra penale, nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me këtë çështje.
Në përgjigjen për Demokracia.com, IPK-ja nuk ka treguar sa herë është hetuar polici Enver Berishaj nga ky institucion, duke u thirrur në mbrojtjen e të dhënave personale.
Ata nuk kanë treguar as nëse polici Enver Berishaj, i njohur edhe si Enver Smakiqi, ishte i përfshirë në rastin e rrahjes së vëllait të ish-deputetit Lushtaku në të kaluarën dhe as për tejkalimin e kompetencave në rastin e rrahjes së invalidit të UÇK-së.
“Duke ju referuar kërkesës suaj (kërkesës për verifikim se sa raste ka ose ka pasur të hapura ndonjë zyrtar policor në IPK) ju njoftojmë se bazuar në legjislacionin në fuqi (ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale) dhe natyrën konfidenciale e informacioneve në bazën e të dhënave në IPK, nuk mund t’ju ofrohen këto të dhëna specifike”, është thënë në përgjigjen e IPK-së për Demokracia.com.
Nga IPK kanë bërë të ditur se në këtë rast nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar.
“Referuar incidentit në Skenderaj, Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident dhe pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kompetent ju njoftojmë se hetimet lidhur me këtë incident do të ndërmerren nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës (pasi që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, kanë treguar nga IPK-ja.
Megjithatë, veç gjuajtja në ajër mjafton si vepër për t’u hetuar polici i përfshirë në këtë rast, pasi që shkakton rrezik të përgjithshëm dhe më nuk u lejohet as policisë si veprim paralajmërues.
IPK nuk e ka komentuar fare gjuajtjen në ajër nga polici i përfshirë në incidentin në Skenderaj.
Ndonëse, IPK nuk ka treguar nëse ka zhvilluar ndonjëherë hetime për policin Smakiqi në media janë shfaqur edhe video ku ai e rrahë një qytetar.
Demokracia.com lidhur me këtë rast ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, por si gjithnjë ata nuk kanë kthyer përgjigje. Të vetmet përgjigje që kthehen nga Policia janë ato për incidente të vogla e aksidente rrugore.
Si ndodhi incidenti?
I biri i Nuredin Lushtakut ishte ndaluar në komunikacion, të cilit u raportua se i ishte shqiptuar një tiketë, megjithatë burime të Demokracia.com të mirëinformuara tregojnë që patrulla e policisë që e kishte ndalur, ku ishte edhe polici Enver Berishaj, as bllok për shënimin e gjobës nuk kishte me vete.
Sipas tyre, polici Enver Berishaj, i cili e kishte njohur veturën e familjes së Nuredin Lushtakut, kishte deklaruar se e ka parë që djali i tij nuk e kishte të vendosur rripin e sigurisë, megjithatë vetë kolegë të tij në stacionin e Policisë në Skenderaj, në kushte anonimiteti, ngrehin dyshime për këtë, duke thënë për Demokracia.com se është e pamundur të shihet nga larg dikush në mesnatë nëse e ka apo nuk e ka rripin e sigurisë të vendosur.
Pas kësaj, duke qenë se kishin probleme edhe në të kaluarën, ai kishte telefonuar babanë e tij Nuredinin, i cili pas pak kohe kishte arritur në vendin e ngjarjes me automjetin e tij.
Ish-deputeti Nuredin Lushtaku ishte i shoqëruar edhe me dy vëllezërit e tij, Faton e Arif Lushtakun dhe të njëjtit kishin filluar të fjalosen me policin Enver Berishaj, të cilin më pas e kishin goditur në kokë, me dorezë të një arme të shkurtër. Në atë moment, i dëmtuari Enver Berishaj nga goditjet kishte rënë në tokë, ku ishte dëgjuar edhe një e shtënë.
Megjithatë, Demokracia.com nga burime të mirëinformuara për rastin ka mësuar se aktualisht për ekzaminim është dërguar vetëm një pistoletë dhe ajo është e policisë.
Ndërkaq, në shkresat e lëndës ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Faton Lushtaku dhe Nuredin Lushtaku në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armën në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, të kalibrit të panjohur tani për tani, duke e goditur në kokë me dorezë të armës policin Enver Berishaj, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore dhe me këtë kanë kryer veprën penale “posedim i armës apo mjet i rrezikshëm”.
Pas kësaj ngjarjeje, Prokuroria për ish-nënkryetarin e Komunës së Skenderajt ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Avokati i Lushtakut ka thënë se do të ankohen në apel për këtë vendim.
“Gjykata ka marrë vendim për 30 ditë paraburgim, do ta apelojmë vendimin në Gjykatë të Apelit sepse është venim i padrejtë. Nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase”, ka thënë avokati Artan Çerkini.
Ai tutje ka thënë se 30 ditë u janë caktuar edhe tre të dyshuarve të tjerë të përfshirë në rast.