Polici i dëmtuar kërkon favor nga i akuzuari Egzon Azemi i VV-së që t’ia ndërrojë njësitin policor
Më 3 shtator 2024, Egzon Azemi i Lëvizjes Vetëvendosje doli në gjyq i akuzuar për sulm ndaj policëve të Kosovës.
Ky sulm, gjithherë sipas Prokurorisë, kishte ndodhur në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje po protestonte kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Egzon Azemi, bashkë me Kushtrim Avdimetajn, Veron Hasanin, Luan Hotin, Ardian Hulin dhe Naim Bunjakun, akuzohen se gjatë protestës kishin sulmuar policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Si pasojë e kësaj, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, ku të dëmtuar kishin mbetur Ismail Sadiku, Ekrem Vllasa dhe Naim Berisha. Ky i fundit, si palë e dëmtuar, po përballej me Egzon Azemin, që sipas Prokurorisë, e kishte sulmuar para gati 9 vjetëve.
Armiqësia e tyre në rrugë para gati 9 vjetëve, tash që Vetëvendosja është në pushtet, është shndërruar në bashkëpunim në mes Egzon Azemit dhe Naim Berishës.
Në seancën gjyqësore të 3 shtatorit 2024 ndaj Egzon Azemit dhe të tjerëve, për shkak të sqarimit të një rrethane, gjyqtari Eroll Gashi, vendosi për një pauzë dhjetëminutëshe.
Gjatë kësaj pauze i akuzuari Azemi dhe i dëmtuari polici Berisha, shkuan në korridorin e gjykatës për të zhvilluar një bisedë private.
Derisa gazetarët dhe kamerat po qëndronin në sallën e gjyqit duke pritur të vazhdojë seanca gjyqësore, në korridorin e gjykatës, polici Naim Berisha ia kërkoi një favor Egzon Azemit të Vetëvendosjes.
Lidhur me këtë, fillimisht Egzon Azemi i VV-së deklaron se polici Berisha vetëm ka kërkuar informacione.
Më vonë ai thotë se polici Berisha kishte kërkuar që të i bëhej e mundur të mos e dërgonin në veri, se i “kishte bërë disa vjet”.
Sipas Azemit, ai po kërkonte të ulej në pozitë e jo të ngritej, e madje do merrte dhe pagë më të ulët.
“Jo, kjo është veç që kërkon informacion. Është njëjtë si me thanë “ku me u referu?”. Ai krejt çka lyp është mos me më çu në veri se i kam bërë do vjet “anej-knej”, a mundesh me fol me dikë?”
“Për besë i thash nuk e di, po mundem me fol dhe me u interesu”, shtoi tutje Azemi për “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur se pse po kërkonte këtë “favor” nga ai, duke qenë se Azemi është shef i kabinetit në Ministrinë e Shëndetësisë, ai tha se thjesht këshillë kërkonte Naim Berisha.
Për rastin në fjalë, polici Naim Berisha ka thënë se s’ka kërkuar favor nga Egzon Azemi i VV-së.
“Jo more çfarë”, ishte përgjigjja e parë e Berishës lidhur me kërkesën e tij të transferit nga Egzon Azemi, i akuzuari i VV-së për sulm ndaj policëve të Kosovës, rast ky i vitit 2015 në protestat kundër Demarkacionit dhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Jo more kumedit keqkuptim”, thotë tutje Berisha duke ndërprerë kështu telefonatën me gazetarin.