Polaku që mashtroi Qeverinë me 600 mijë euro është edhe pronar i një spitali në Kosovë

Përveç se mashtroi Qeverinë e Kosovës dhe ua zhvati 600 mijë euro, Tomasz Tokarski, ka edhe biznese në Kosovë. Sipas të dhënave të ARBK-së, mashtruesi nga Polonia, është pronar i një spitali në Kosovë.

Albanian Post ka hulumtuar veprimtarinë biznesore të pronarit të kompanisë “Xanto Sp. z.o.o”, i quajtur Tomasz Tokarski, që nuk ia solli Kosovës 120 mijë kilogramë sheqer dhe 200 mijë litra vaj përkundër që parat i mori.

Sipas Prokurorisë dëmi që iu shkaktua buxhetit të Kosovës është afër 600 mijë euro.

Javën që kaloi Albanian Post raportoi se si pronari i kompanisë “Xanto Sp. z.o.o”, në shtetin e tij ka mashtruar shumë njerëz.

Albanian Post ka siguruar historikun e biznesit të Tokarskit në Kosovë, që kishte marrë parat për ta furnizuar Kosovën me vaj dhe sheqer.

Biznesin që e ka regjistruar në Kosovë në vitin 2021 quhet “XANTO KOS L.L.C” dhe është 100 për qind aksionar pa asnjë bashkë pronar në të.

Përkundër që Mahmut Halimi, avokati i Ridvan Muharremit, pronar i furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës dhe u paraburgos nën dyshimin për keqpërdorime të Rezervave Shtetërore të Kosovës deklaroi se polaku që ia zhvati Kosovës afër 600 mijë euro sipas Prokurorisë, është bashkë aksionar me një person të quajtur Nezir Idrizi, kjo rezulton të mos jetë e saktë.

Tokarski është edhe aksionar dhe drejtor në kompaninë “XANTO KOS L.L.C” që për aktivitet primar ka ndërmjetësimin për shitjen e lëndëve të para bujqësore, kafshëve të gjalla, lëndëve të para tekstile dhe mallrave gjysmë të gatshme, ndërsa dytësorë kultivimin e bimëve të tjera shumëvjeçare.

Mirëpo Tokarski veprimtarinë biznesore në Kosovë e ka shtrirë edhe në mjekësi.

Lexo edhe:  Familja “Capat” reagon pas plagosjes së djalit të tyre në Prishtinë

Polaku e ka hapur një klinikë mjekësore në Kosovë bashkë me Nezir Idrizin në vitin 2021.

Klinika quhet “Xanto Clinic L.L.C”, ku 60 për qind të aksioneve i ka polaku Tokarski dhe pozitën e drejtorit me 40 për qind të aksioneve i ka Idrizi.

Aktivitet primar kjo kompani ka shëndetin e njeriut, ndërsa sekondarë akomodime të tjera.

Po ashtu Idrizi është aksionar në një biznes tjetër bashkë me katër persona të tjerë.

Biznesi quhet “Armada L.L.C.” dhe Idrizi është drejtor menaxhues dhe aksionar me 20 për qind.

Kapital në këtë biznes kanë deklaruar 100 mijë euro, kur është regjistruar në ARBK në vitin 2021.

Ajo çka bie në sy është se këto tri biznese, që në dy është Tokarski dhe në një të vetëm Idrizi është adresa e njëjtë në ARBK: Prishtinë, Rruga Vicianum, nr. 31.

Pra të tri këto biznese kanë të njëjtën adresë.

Tokarski që në Poloni njihet si mashtrues në Kosovë ka nisur biznesin qysh në vitin 2021 ndërsa autoritetet kosovare nuk kanë arritur ta kuptojnë se kush është ky person.

Javën që shkoi AP i ka shkruar edhe Prokurorisë Speciale për këtë rast, duke e pyetur se a është duke u kërkuar nga autoritetet që Tokarski të gjendet, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.

Emrin e Nezir Idrizit e përmendi Mahmut Halimi, avokat i Ridvan Muharremit në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini.

Deri në këto momente roli i tij në ndërmjetësimin për blerjen e rezervave është i mjegulluar, mirëpo AP ka gjetur lidhjet e tij me Tokarskin, që janë bashkë në një biznes mjekësor.

Ndërsa dje Avokatura Shtetërorë e ka konfirmuar për Betimi për Drejtësi se ka ushtruar padi më 2 gusht të këtij viti, tek pasi ka plasur skandali me rezerva, ndaj kompanive turke dhe polake, për mos sjelljen e grurit, vajit dhe sheqerit.

Lexo edhe:  E ulët: Hajnat vjedhin pakot ushqimore, mbesin pa bukë nxënësit e një shkolle

Nga ky skandal, tre persona janë arrestuar, Hafiz Gara drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Irfan Lipovica drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane në MINT dhe Ridvan Muharremi, pronar i një furre buke në Prishtinë.

Gjykata ua ka caktuar 30 ditë paraburgim me kërkesë të Prokurorit Valdet Gashi që është duke e hetuar rastin.