Po i iknin dënimeve me burg, arrestohen disa të kërkuar nga Gjykatat

Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të dënuar nga Gjykatat në vend për vepra të ndryshme penale, por që të cilët arrijnë të ikin nga duart e drejtësisë. Vetëm gjatë ditës së sotme kanë rënë në pranga të Policisë disa të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.

Sinjali mëson se vetëm dje dhe sot janë arrestuar një numër i madh i personave të cilët ishin në kërkim.

Një 38-vjeçar në Kamenicë është arrestuar dje pasi po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan. Pas arrestimit ai ka bërë pagesën në Gjykatë dhe më pas është liruar.

Lirinë nga arratia po e shijonte edhe një grua e cila ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për trafikim me njerëz dhe posedim të narkotikëve. Ajo u arrestua dje dhe më pas është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Gjoba të cilën e pagoi e shpëtoi nga burgu edhe një të dënuar nga fshati Raushiq i Pejës. Ai u arrestua mëngjesin e djeshëm pasi ishte dëunuar për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Në Pejë u arrestua edhe një 45-vjeçar i cili po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Pejë. Ai është liruar pasi ka paguar gjobën në Gjykatë.

Drejtësisë nuk arriti t’i ikë edhe për shumë gjatë as një burrë në Podujevë. 30-vjeçari nga fshati Dobërdol është arrestuar pasi ishte dënuar për posedim të narkotikëve dhe është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Për posedim të narkotikëve ishte dënuar edhe një 38-vjeçar në Kamenicë dhe i njëjti më pas ishte arratisur. Ai u arrestua dje dhe pasi pagoi gjobën, u lirua.

Lexo edhe:  Lajm i mirë për mërgimtarët, Gjermania një hap më afër lehtësimit të procedurave për marrjen e nënshtetësisë

Në vuajtje të dënimit u dërgua edhe një person që u arrestua dje në rrugën ‘B’ në Prishtinë. Ai ishte dënuar për grabitje dhe pas arrestimit është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Një udhëtim që kishte planifikuar një 42-vjeçar, dështoi. Kjo pasi që gjatë verifikimit të tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, rezultoi që ai është i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Pas arrestimit ai ka paguar gjobën dhe më pas u lirua.

Dënimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Gjilan po i ikte edhe një 24-vjeçar. Ai ishte dënuar për posedim të narkotikëve dhe u arrestua mbrëmë. Më pas u dërgua në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Në prangat e Policisë ka rënë mbrëmë pas mesnate edhe një 26-vjeçare. Ajo u arrestua në pikën e kalimit kufitar në Jarinjë dhe më pas u shoqërua në stacion policor.

Të njëjtin fat e pati edhe një i ri nga fshati Klladernicë e Skenderajt. 26-vjeçari u arrestua dhe pasi pagoi gjobën, është liruar.