Plas sherri në një familje në Mitrovicë: Burri rrah gruan shkaku i vajzës së tyre, arrestohet
Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen në vendin tonë. Çdo ditë viktima, të cilat janë zakonisht gra, denoncojnë në Polici bashkëshortët e tyre, nga të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike, por edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Motivet që shtyjnë burrat për të ushtruar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre janë të ndryshme, e ndër to janë edhe mosmarrëveshjet që kanë lidhur me fëmijët e tyre.
Sinjali mëson se një grua në Mitrovicë ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici, për të cilin ka deklaruar se e ka rrahur.
Ajo ka marrë lëndime trupore si pasojë e dhunës së përjetuar, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
I dyshuari ndërkohë është arrestuar nga Policia dhe i njëjti është shoqëruar në stacion ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.