Plas sherri në një familje në Fushë Kosovë, burri rrah gruan dhe vjehrrin
Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë.
Por shpeshherë në konflikt përfshihen edhe familja e gruas me dhëndrin dhe anasjelltas. Konfliktet verbale mes tyre eskalojnë edhe në përleshje e kërcënime, për çka duhet intervenimi i Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe babait të saj, respektivisht vjehrrit.
Sinjali mëson se babë e bijë kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku kanë rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen se si ka ndodhur.
Gruaja dhe babai i saj i moshuar kanë marrë lëndime trupore dhe si pasojë janë dërguar për tretman mjekësor në spital.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 42-vjeçari të dërgohet në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.