Plas sherri në familjen llapjane: Burri e sulmon gruan shkaku i xhelozisë, për blerjen e bukës e rrah edhe djalin në gjumë

Telashet familjare janë të shpeshta, ku anëtarët përleshen mes vete apo pësojnë nga kryefamiljari. E këto zënka shpesh herë kalojnë edhe muret e shtëpisë, duke u nevojitur kështu ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të zgjidhur problemet.

Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në një familje në Podujevë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe djalin e tij të mitur.

Sinjali mëson se i dyshuari fillimisht ka rrahur gruan e tij teksa po udhëtonin me veturë, ndërsa djalin e ka sulmuar gjatë kohës që ai po flinte.

Rastin në Polici e ka denoncuar gruaja, e cila ka bërë të ditur edhe motivin që dyshohet se e shtyu 40-vjeçarin t’i bëjë këto veprime. Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari e ka rrahur bashkëshorten e tij për shkaqe xhelozie. E një ditë më vonë blerja e bukës u bë mollë sherri për të dhe djalin e çiftit, i cili u rrah nga babai i tij gjatë kohë që ishte në gjumë. Si pasojë e kësaj, nëna bashkë me djalin kanë shkuar të jetojnë në familjen e viktimës.

Njësitë policore me të marrë informatën janë vënë në lëvizje, ku kanë arrestuar të dyshuarin i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Para hetuesve policorë i dyshuari ka pranuar që ka kryer veprën për të cilën dyshohet.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Vdekja e dyshimtë në Drenas, 26-vjeçarja për dy ditë ishte pa vetëdije