Plantacionet e kanabisit në Gjilan: Kandidati i VV-së për Asamble në mesin e të arrestuarve

Gazeta Sinjali ka raportuar sot ekskluzivisht për një aksion të gjerë të Policisë së Kosovës në fshatin Zhegovc të Gjilanit, ku janë zbuluar katër plantacione të kanabisit dhe janë arrestuar tre persona të dyshuar për kultivimin e rreth 500 bimëve narkotike.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në mesin e të arrestuarve është edhe Rinas Zeqiri, rreth 25-vjeçar, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale në Novobërdë.

Bashkë me të janë arrestuar edhe Ardit Sylejmani, rreth 34-vjeçar, dhe Rinor Ahmeti, rreth 27-vjeçar. Të tre të dyshuarit dyshohet se ishin përfshirë në kultivimin e rreth 500 bimëve të kanabisit sativa, disa prej të cilave thuhet se kishin arritur deri në 2 metra lartësi dhe ishin në fazë të avancuar për përpunim

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: • një armë e gjatë AK-47, • një karikator me 19 fishekë kalibër 7.62×39 mm, • pesë telefona, • si dhe një veturë Golf V.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, bimët narkotike janë asgjësuar në vendngjarje, nën mbikëqyrjen e Forenzikës Rajonale dhe Njësisë së Zjarrfikësve, për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit.

Pas intervistimit, tre të dyshuarit janë dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Vetëm në muajin janar u morën 137 milionë euro kredi në Kosovë