Plagosje me armë në mes të Klinës, momenti kur nis sherri për parking
Për arsye akoma plotësisht të paqarta, dy persona u plagosen nga ky incident.
Deri më tani dyshohet se shkak i sherrit ishte një parking, por akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Lidhur me rastin kanë dhënë detaje nga Policia, teksa Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të lënduarve.
“Në orën 19:20, Policia është njoftuar për një përleshje në afërsi të QMF-së në Klinë. Gjatë përleshjes, dy persona kanë pësuar lëndime nga arma e zjarrit dhe thika. Të lënduarit janë dërguar për tretman të mëtutjeshëm në Spitalin e Pejës” ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Në anën tjetër, drejtori mjekësor i Spitalit të Pejës, Besnik Ibraj, ka thënë për Indeksonline se rreth orës 20:00 kanë pranuar dy të lënduarit për tretman mjekësor.
“Njëri ka qenë i therrur me thikë. Ka pasur pesë plagë në trup nga mjetet shpuese, respektivisht nga thika. Tjetri ka qenë i lënduar me tri plagë në kokë, nga mjetet e forta goditëse, topitëse. Gjendja e tyre është e mirë” ka thënë Ibraj.
Indeksonline ka siguruar pamje nga momenti ku ka nisur sherri i cili përfundoi me lëndime më vonë.