Plagosja e trefishtë në Pejë: Kërkohet paraburgim për të dyshuarin e rastit, sot mbahet seanca

Prokuroria Themelore në Pejë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Agron Gashit, i cili dyshohet për vrasjen e rёndё nё tentativë, e cila ndodhi më 22 maj në Pejë, ku u plagosën tre persona, raporton Gazeta Sinjali.

Seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Pejë do të mbahet sot nga ora 17:00.

I dyshuari Gashi u kap pasi Policia e shpalli në kërkim, teksa në pranga ka përfunduar edhe personi që dyshohet se e ndihmoi. Ndaj tyre është lëshuar urdhër për ndalim dhe tashmë kanë nisur hetimet.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se personi që u arrestua për dhënien e ndihmës pas kryerjes së veprës penale është Liridona Gashi.

Kush është Agron Gashi?

Agron Gashi, i cili është nga fshati Ozdrim i Pejës, ka të kaluar kriminale, të pasur me plot vepra penale, që dyshohet se i ka kryer në vazhdimësi.

Jo më larg se në dhjetorin e vitit të kaluar, Gashi e kishte goditur me veturën e tij një zyrtar policor që ishte në detyrë.

Menjëherë pas aktit, siç kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, Gashi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, dhe më pas e kishte braktisur veturën, për t’u arratisur, me qëllim që të shpëtojë nga prangat.

Për rastin ndaj policit, ai rëndohej me veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Por, ky dhe rasti i fundit, nuk janë veprat e vetme të tij.

Gashi, që është vetëm 21-vjeçar, ka qenë subjekt i hetimit për veprat si “Kanosje”, “Dhunë në familje”, “Armëmbajtje pa leje” e raste të ndryshme të “Lëndimit trupor” – incidente në të cilat është përfshirë në vazhdimësi.

Lexo edhe:  Mirlind Daku befason Lumbardhin, i sjell fanellën e Kombëtares