Plagosja e të miturit nga vëllai në Suharekë, nga QKUK tregojnë për gjendjen e tij
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, ku një person është qëlluar me armë zjarri. Fëmija ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar fillimisht në Spitalin e Prizrenit për trajtim, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mësoi Sinjali bëhet fjalë për një 7-vjeçar i cili dyshohet se është plagosur nga vëllai i tij më i madh – rreth 11-vjeçar me armë gjuetie.
Sipas informacioneve të para, fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në spital për trajtim.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka njoftuar gjendja e tij e të lënduarit është stabile.
“Një fëmijë është trajtuar mbrëmë në Qendrën Emergjente me plagë sklopetare, pas intervenimit kirurgjik në sallën e Emergjencës nga ekipet e anestezionit kirurgji vaskulare, ortopedisë dhe kirurgjisë plastike është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit, gjendja është stabile”, ka thënë Syla.
Ndërkohë në raportin e policisë thuhet se lidhur me rastin, është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke e hetuar.