Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim 

Dhoma e Gjykatës Themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka dënuar Pjetër Shalën, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me 18 vjet burgim.

Komandanti i UÇK-së i njohur edhe si”Ujku”, u shpall fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në një fabrikë metalike në Kukës gjatë luftës në Kosovë.

Në aktgjykimin e saj, gjykata deklaroi: “Në emër të popullit të Kosovës, për arsye të shtjelluara në aktgjykim, trupi gjykues në bazë të Ligjit iu shpall z. Shala fajtor për veprat penale në vijim: pika 1 ndalim arbitrar si krim lufte, pika 3 torturë si krim lufte, dhe pika 4 vrasje e paligjshme si krim lufte.”

Gjykata përcaktoi dënime të veçanta për secilën nga veprat penale të cilat Shala u shpall fajtor.

Për ndalimin arbitrar, Shala u dënua me 6 vjet burg. Për torturë, ai mori një dënim prej 16 vjetësh, ndërsa për vrasjen e paligjshme, gjykata vendosi dënimin maksimal prej 18 vjetësh.

Trupi Gjykues vendosi që dënimet të shërbehen njëkohësisht, duke e bërë totalin e dënimit 18 vjet burgim.

“Shala duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më vete për secilën vepër penale. Trupi gjykues ka përcaktuar dënimet në vijim: dënim me 6 vjet burg për krimin e luftës së ndalimit arbitrar, dënim me 16 vjet burgim për torturë, dhe dënim me 18 vjet burg për vrasjen e paligjshme. Ju dënon me dënim 18 vjet burg”, ka konstatuar Trupi Gjykues në rastin e Shalës.

Ky është aktgjykimi i dytë dënues që shpallet nga Gjykata Speciale në lidhje me krimet e luftës, pas ish-komandantit, Salih Mustafa, që u dënua me 22 vjet burgim.

Lexo edhe:  Ky është zyrtari korrektues që u arrestua sot, dyshohet për mashtrim me Bitcoin