Pilotët e FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin me helikopterët e Ushtrisë Shqiptare në Bazën Ajrore të Farkës
Pilotët e FSK-së përfundojnë me sukses trajnimin me helikopterët e Ushtrisë Shqiptare në Bazën Ajrore të Farkës
***
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ushtarak dhe përpjekjeve për rritjen e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pilotët dhe stafi teknik i FSK përfunduan me sukses trajnimin dhe kualifikimin për përdorimin e helikopterëve të tipit Cougar.
Ky trajnim, i zhvilluar në Bazën Ajrore të Farkës në Shqipëri, është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të aftësive të fluturimit dhe ndërveprimit rajonal ndërmjet dy forcave ushtarake, shkruan Jepi zë
Pjesëmarrësit në këtë trajnim patën mundësinë të mësojnë teknika të avancuara të pilotimit dhe mirëmbajtjes së helikopterëve Cougar, një platformë e njohur për misionet e kërkim-shpëtimit, transportit dhe mbështetjes luftarake.
Njëri nga pilotët pjesëmarrës ishte drenicasi, Afrim Zabeli, i cili së bashku me kolegët e tij, pati nderin dhe përgjegjësinë ta pilotojë helikopterin e Ushtrisë Shqiptare mbi territorin shqiptar.
Ky aktivitet jo vetëm që forcon aftësitë teknike dhe profesionale të pilotëve të FSK-së, por gjithashtu kontribuon në rritjen e bashkëpunimit strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke ndërtuar një bazë solide për veprime të përbashkëta në të ardhmen.
Përveç përfitimeve të drejtpërdrejta në aspektin teknik, trajnimi simbolizon një lidhje të fortë dhe një vizion të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në rajon./ Jepi zë