Pesë persona rrahin një 17-vjeçar në Fushë Kosovë, Policia gjen një thikë në vendngjarje

Konfliktet mes të rinjtë jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr.

Një rrahje ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën ‘Gaula Rosi’ në Fushë Kosovë, ku disa persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një 17-vjeçar.

Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një mjet të mprehtë. Viktima ka deklaruar se është rrahur nga pesë persona, tre prej të cilëve ka arritur që t’i identifikojë.

Të miturit i është ofruar ndihma mjekësore, ndërkohë që është arritur që tre prej të dyshuarve të shoqërohen në stacion policor për intervistim.

Tre të rinjtë kanë deklaruar para hetuesve policore se gjithçka ka ndodhur për shkak të një konflikti me viktimën.

Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

 

Lexo edhe:  Ky është burri që dyshohet se dhunoi seksualisht gruan e tij për 17 vite martesë