Persona të maskuar e rrahin dhe kërcënojnë 40-vjeçarin në Ranillug: Nëse thërret Policinë, të vrasim
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet e shumta, ku shpeshherë përdoren edhe mjete të forta, të mprehta e armë zjarri. Si pasojë e kësaj, në shumë raste viktimat kanë marrë edhe plagë fatale për jetën e tyre.
Me një sulm të tillë është përballur një person në fshatin Bozhevc të Ranillugut, pasi dy persona ende të paidentifikuar dyshohet se e kanë rrahur dhe e kërcënuar.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë zbardhur detaje nga dëshmia e 40-vjeçarit, i cili pas ngjarjes së rëndë kërkoi ndihmën e Policisë.
Sipas tij, dy të dyshuarit të maskuar e kanë nxjerrë me dhunë nga shtëpia e tij dhe e kanë rrahur keq, duke e kërcënuar se nëse telefonon Policinë do ta vrasin. Motiv për këtë, viktima dyshon se është denoncimi i tij për vjedhjen e pyllit.
40-vjeçari ka pësuar lëndime trupore dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore në spital.
Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e të dyshuarve, teksa me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë turpor’.