Përplasje për shëndetësinë: Kardiologu Bajraktari e godet këshilltarin neuropsikiatër të Kurtit

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti për Shëndetësi, neuropsikiatri Jusuf Ulaj, ka shkruar për problemet me të cilat po ballafaqohen mjekët në Kosovë. Ai ka folur edhe për sektorin publik, teksa ua ka lënë fajin edhe disa kolegëve të tij, të cilët sipas tij kanë penguar përmirësimin e këtij sektori.

Në një postim në Facebook, Ulaj u shpreh se kur bëhet fjalë për sektorin publik dhe atë privat, kolegët e tij “çarten”, sepse siç thotë ai angazhimi i tyre është që të mos iu prishet rehatia.

Ai iu është “lutur” atyre që të përcaktohen se ku duan të kontribuojnë, në spitale publike apo në ato private.

“Kur flitet apo përmendet ndarja e shërbimit publik nga ai privat, çarten disa koleg për të cilët normal që nuk kam fare respekt. Janë pikërisht ata që me vite kanë penguar çdo ndryshim që do të përmirësonte gjendjen në shëndetësinë publike. Disa nga ata, të zëshëm, kanë nga 2-3 ose më shumë vende pune; udhëheqës, shefa reparti, profesor, spitale apo klinika private e çka tjetër. Krejt çka bëjnë është angazhimi maksimal që të mos u prishet rehatia dhe përfitimet personale e familjare. Bëhuni të sinqertë dhe përcaktohuni, publik ose privat – këtë ua lejon ligji dhe zgjedhni! Mos shitni moral e etikë kur nuk i keni! Nëse mendoni se i duheni institucionit publik dhe PA JU nuk bën, e keni gabim – sepse jeni shndërruar në pengesë dhe infektoni rininë e paprishur duke dhënë modelin e keq – abuzimin!”, kishte shkruar Ulaj.

Pas kësaj deklarate, ka qenë i ashpër reagimi i kardiologut Gani Bajraktari, i cili ka një kërkesë për kryeministrin. Ai e ka këshilluar Kurtin që t’i ndërrojë këshilltarët, sepse sipas tij “e morën në qafë”.

Lexo edhe:  Rreth 20 mijë fije kanabis identifikohen në Koshare të Gjakovës

Madje Bajraktari thotë se këshilltarët e Kurtit duan që sektorin publik ta bëjnë llugë.

“Kryeministër, këshilltarët tuaj e dojnë shëndetësinë publike “llugë”, për të mos pushuar vargu i hallexhinjëve në “klinikat” e tyre private, të cilat i bënë ata Milionera! Ata duan akoma më shumë “llugë”! Duan të blejnë akoma më shumë shtëpi Gjysëm-milionëshe në Lagjet e reja që po ndërtohen, nuk ngopen më një e dy! Prandaj, ata shesin moral Kryeministër. Këshilltarët tu, jo që nuk punojnë në Spitalet Publike, por ata as nuk kalojnë andej pari me dekada, sepse ata i takojnë kastës tjetër: kastës borgjeze, që asnjëherë nuk takohen me klasën punëtore (përveq kur ua marrin lekun, se atë ë duan shumë, edhe kur ipet nga duart e rjepura të klasës punëtore)!”, ka shkruar Bajraktari.

Sipas tij, këshilltarët e Kurtit kanë lëvizur në të gjitha partitë, prandaj atij “po i shesin dushk për gogla”.

“Kryeminister, këshilltaret tu kane “kullotur” livadhet e krejt partive në të kaluaren: livadhi yt eshte i fundit: andaj dijnë të shesin kaq mirë “dushk për gogla”! Jane të rryer ata me petk partie! Këshilltarët tuaj të kanë vënë në lajthitje Kryeministër, fillimisht me propozimin për të ndaluar mjekët e sektorit publik për të punuar privat (duke e ditur se këtë nuk e lejon Kushtetuta) e tash duke të vënë në lajthitje për të stimular ata që “punojnë vetëm në publik”! Ata këtë duan, Kryeministër: dobësim të publikut, që të lulëzojnë “klinikat” e tyre private! Ata duan në shumë shtëpi Gjysëm-milionëshe!”, ka shkruar kardiologu Bajraktari.

Kardiologu ka shkruar edhe për propozimin e Kurtit që ka deklaruar se mjekët që vendosin të punojnë në sektorin publik do të kenë shtesë të veçantë të pagesës. Sipas tij kjo qasje është e gabuar.

Lexo edhe:  Rikthehet ora dimërore, të dielën lëvizin akrepat

“Kjo do të çoj në dembelizëm profesional, demotivim për punë, seleksionim negativ të personelit, dhe për rrjedhojë shëndetësi të dobët në sektorin publik! Ai kirurgu që ka kryer 30 operacione duhet të marr pagë shumë më të madhe nga shteti se ky që ka kryer 3, pavarësisht se çfarë bëjnë këta pasdite!”.

Kujtojmë se para pak ditësh ka dhënë dorëheqje Rifat Latifi nga posti i ministrit të Shëndetësisë. Pas dorëheqjes së Latifit, Kurti ka emëruar zëvendësministren Dafina Gexha-Bunjaku në postin e ushtrueses së detyrës së ministres së Shëndetësisë.