Përmbyllet paraqitja e provave në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se ka përmbyllur paraqitjen e provave në gjyqin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ky gjyq, që ka filluar më 3 prill 2023, ka arritur një fazë të rëndësishme, ndërsa prokuroria ka përfunduar paraqitjen e dëshmive dhe provave materiale.

Në njoftimin për media, ZPS ka theksuar se gjatë procesit janë thirrur 125 dëshmitarë, ndërsa janë paraqitur rreth 3 mijë prova materiale, të cilat përfshijnë dokumente dhe dëshmi të shumta në disa gjuhë. Pjesë e këtij procesi janë edhe mbi 150 viktima, të cilët janë përfaqësuar nga Avokati i Viktimave.

Akuzat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit janë të rënda dhe përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 individëve dhe mbajtjen në paraburgim dhe torturimin e qindra viktimave.

Krimet, sipas aktakuzës, u kryen kundër civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në shumë lokacione në Kosovë dhe Shqipërinë veriore.

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka shprehur vlerësimin e saj për gatishmërinë e dëshmitarëve që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit, duke e quajtur këtë një akt të jashtëzakonshëm guximi.

Ajo tha se “gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme,” dhe e lavdëroi kurajën e tyre në përballjen me krimet që kishin përjetuar.

West theksoi gjithashtu rëndësinë e përballjes me krime të tilla si vrasja dhe tortura, duke theksuar se për Kosovën është thelbësore që procesi gjyqësor të respektohet me qëllim që të ruhet integriteti dhe paanësia e procedurave.

Prokurorja West përfundoi duke theksuar se ky gjyq është një hap i rëndësishëm në ruajtjen e sundimit të ligjit dhe respektimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Lexo edhe:  Hajnat ia mësyjnë shtëpive të dy vëllezërve llapjanë, vjedhin para dhe ari në vlerë të mbi 11 mijë euro

Ajo theksoi se vetëm përmes këtij procesi të drejtë dhe të paanshëm mund të gjendet e vërteta dhe të bëhet një hap drejt përmbylljes së një periudhe të errët të historisë së Kosovës.