Përleshje në rrugën “B” në Prishtinë, përdoret edhe thika – tre të lënduar

Një përleshje ka ndodhur mbrëmë  në “rrugën B”, në Prishtinë. Për pasojë lëndime kanë marrë tre persona.

Në përleshje fillimisht u dyshua të jetë përdorur edhe armë zjarri, por nga Policia e Kosovës kanë thënë se dy persona u lënduar nga therja me thikë, derisa i treti nga mjete të tjera që janë përdorur gjatë përleshjes, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinë, Agron Borovci  ka thënë se të plagosurit që kanë marrë plagë janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Rreth orës 23:00, është raportuar se mbrapa rrugës “B” në Prishtinë ka ndodhur një përleshje në mes të disa personave ku dyshohet të jetë shkrepur dhe arma e zjarrit. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë lëndime nga arma e ftohët (thika), përderisa një tjetër nga mjete që janë përdorur gjatë përleshjes”.

“Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia në mënyrë aktive ka vijuar punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, të cilat kanë rezultuar me identifikimin, lokalizimin si dhe kapjen e menjëhershme të tre personave të cilët po ashtu dyshohet të jenë të involvuar në rastin në fjalë. Aktualisht po vazhdon puna policore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci.

Lexo edhe:  BQK: Deri në qershor mërgimtarët dërguan në Kosovë 635.1 milionë euro, 14 % më shumë se vjet