Përleshje në Mitrovicë: 46-vjeçarin e dehur e gjakosin dy persona, dërgohet në spital
Një ngatërresë mes të rinjve ka ndodhur sot në rrugën “Dëshmorët e Kombit” të Mitrovicë, në orët e mëngjesit.
Përleshja, motivet e së cilës ende nuk dihen ka eskaluar në sulm, me ç’rast lëndime ka pësuar një 46-vjeçar. Për pasojë, i njëjti fillimisht e ka denoncuar rastin e më pas ka kërkuar ndihmë në Emergjencën e Spitalit rajonal të Mitrovicës.
Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se viktima është rrahur nga dy persona, të cilët e kanë gjakosur, duke i shkaktuar kështu lëndime. Pasi Policia është njoftuar për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme.
Burimet thonë se ende s’dihen kush janë personat e dyshuar, teksa as viktima nuk është deklaruar për rastin pasi ka qenë në gjendje të dehur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit lidhur me këtë rast kanë nisur hetimet për veprën penale “lëndim trupor”.